|
بســــم الله الرحمن الرحيـم
Bismil-lahir Rahmanir Rahim
Lavdia i qoftë All-llahut, Zotit të botëve! Salavatet dhe selamet qofshin me Profetin tonë Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
Më tej:
Këto janë kushtet dhe sjelljet, të cilave duhet t’u përmbahet secili që dëshiron të marrë pjesë në ForumiSelefi.Net. Disa prej tyre bazohen në argumente të drejtpërdrejta të Sheriatit, dhe atyre duhet t’u përmbahet secili mysliman, e disa të tjera janë kushte të cilat me ixhtihad i kanë vënë dijetarët dhe shujuhët që janë mbikëqyrës të forumeve të ndryshme selefie, kurse përmes tyre realizohen dobi sheriatike dhe shmangen dëmet dhe të këqijat. Më pak kushte janë caktuar nga mbikëqyrësi i ForumiSelefi.Net, sipas nevojave dhe situatës së vendeve tona. Ne kemi të drejtë t’i kërkojmë secilit nga anëtarët e këtij forumi që t’i përmbahet këtyre kushteve, duke u bazuar në hadithin e të Dërguarit, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “المسلمون على شروطهم” “Muslimanët u përmbahen kushteve që i kanë pranuar.”
Kështu, secili që merr pjesë në ForumiSelefi.Net, duke qenë se ne i kemi parashtruar këto kushte, i pranon ato me vetë anëtarësimin e tij dhe është i obliguar t’u përmbahet në bazë të hadithit të lartpërmendur.
Kushtet e regjistrimit
1. Regjistrimi në ForumiSelefi.Net bëhet vetëm në bazë të rekomandimit nga njëri nga anëtarët e forumit. 2. Anëtarët e ForumiSelefi.Net duhet të kenë kujdes gjatë rekomandimit të ndonjë anëtar i ri. Ata duhet të rekomandojnë vetëm ata të cilët i njohin me menhexh të pastër selefi, respekt për dijetarët dhe kujdes dhe zell në nxënien e dijes sheriatike. Nuk guxon të rekomandohen ata që kanë dyshime, janë të ndikuar nga thirrjet e devijuara ose janë të zhytur në fitne të ndryshme të bidateve. 3. Kur regjistrohet një anëtar i ri, është i obliguar ta shënojë emrin dhe mbiemrin e tij të vërtetë, si dhe vendin nga vjen. 4. Për nofkë mund të zgjedhë një emrin e shkurtuar me të cilin njihet, emrin e vet në dokumentet e identifikimit (nëse ai emër nuk i kundërshton rregullat e Sheriatit), emrin arab që e ka zgjedhur për vete (nëse e ka ndryshuar emrin), por me kusht që të njihet me atë emër, ose kunien që e ka zgjedhur (emër i paraprirë me Ebu). a) Shkrimet në këtë forum bëhen me emër të qartë. Thirrja e Ehli Sunnetit është thirrje e qartë dhe në të nuk ka sekrete dhe mistere. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, prandaj shkrimi me emra dhe nofka të huaja nuk është i pranuar. Dijetarët kanë folur për domosdoshmërinë e paraqitjes me emër të vërtetë. Ne nuk jemi sikur pëshpëritësit e errësirës. Kjo është një veti e njohur e Pasuesve të Sunnetit. Përjashtim mund të bëhet në situata të veçanta, në rrethana të jashtëzakonshme personale, por kjo duhet të bëhet me njoftim të mbikëqyrësit të forumit për sqarim të gjendjes. b) Ndalohet regjistrimi me emra në gjuhë të huaja (përveç arabishtes dhe shqipes), ose nofka të shifruara me përzierje të shkronjave dhe numrave. c) Ndalohet regjistrimi me emra që nuk i kanë hije këtij forumi si: i dashuruari, romantiku etj, ose që kanë kuptim të keq, siç janë mëkatari, zullumqari, dhe të ngjashme, madje edhe nëse tregohet emri i vërtetë në këto raste. d) Ndalohet huazimi i emrave të personaliteteve të mëdha të Ummetit, si: Buhari, Ibën Tejmije... etj, ose regjistrimi me emra që paraqesin lëvdatë për vete, si: i udhëzuari, muxhahidi, sqaruesi...etj. 5. Në përshkrimin më të gjerë për vete (prezantim i shkurtër), duhet të shënojë: a) Cili nga anëtarët e ka rekomanduar. b) Çfarë shkollimi ka, te cilët dijetarë ndjek mësime (nëse është nga nxënësit e dijes), ose te cilët ka ndjekur (nëse i ka mbaruar studimet), nëse është nga vëllezërit që nuk dinë arabisht, cilët hoxhallarë shqiptarë i viziton dhe çfarë mësime ose libra ka mësuar tek ata. c) Hoxhallarët duhet të shënojnë për veprimtarinë e tyre në lëmin e da’ues, librat që i kanë përkthyer (nëse kanë përkthyer). d) Secili anëtar i ri duhet të përmendë për kontributet e veta; postimet që i ka dërguar në forume të tjera, ose artikujt e publikuar në ueb-faqe të tjera ose revista. Përmes postimeve dhe publikimeve të tjera të mëparshme vërehet menhexhi i njeriut. e) Mund të shtojë edhe tezkije (lavdërim) nga ndonjë dijetar, ose thirrës i njohur me dije dhe menhexh të drejtë. 6. Për dhënie të informatave të rrejshme pushohet anëtarësia e anëtarit.
Kushtet e shkrimit në forum
7. Shmangia e të folurit për fitnet dhe temat që shkaktojnë urrejtje dhe mëri është e obliguar. Dijetarët kanë paralajmëruar që të mos flasë askush në xherh dhe ta’dil, përveç dijetarëve të xherhit dhe ta’dilit, nga mesi i dijetarëve të hadithit. Kjo temë duhet t’u lihet kompetentëve. Kjo që e themi është edhe më e rreptë, nëse bëhet fjalë për një njeri që është i njohur me akide të pastër dhe të kthjellët selefije. Këto tema nuk lejohet të transmetohen nga njerëzit e panjohur, ose bidatçinjtë, ngase të gjithë dijetarët janë unanimë se dija merret vetën nga një dijetar i njohur dhe i besueshëm për dijen dhe fetarinë e vet. Siç ka thënë Muhamed ibën Sirini, rahimehUll-llah: “Kjo dije është fe, prandaj shikoni se nga kush e merrni fenë tuaj!” Kjo realizohet vetëm duke transmetuar nga dijetarët e këtij lëmi dhe nuk pranohet lëvdata e transmetuesit, ngase ai nuk është kompetent për këtë. 8. Nga kjo rrjedh edhe shmangia e zhytjes në refuzim të atyre për të cilët kanë paralajmëruar dijetarët, duke e tepruar aq shumë, saqë të lihen pas dore temat e tjera të Fesë sonë të lartë. Shejh Ubejd elXhabiri, hafidhahUll-llah, ka thënë: “Feja nuk është vetëm një temë. Xherhi dhe ta’dili është një nga temat e Fesë, prandaj nuk lejohet të kufizohet dituria vetëm në këtë temë.” Bartësi i flamurit në Xherh dhe Ta’dil, shejh Rabi’ ibën Hadi elMedkhali, hafidhahUll-llah, ka thënë: “Sikur të kishim vazhduar në refuzimin e thënieve të pavërteta, rreth të cilave vërtiten disa gjëra që i kanë shpikur ata, kurse ne e kemi sqaruar pavërtetësinë e tyre shumë herë, ndërsa ata nuk kanë ndonjë interes tjetër përveçse të na largojnë nga idealet e tona të lartësuara për ngritjen e da’ues selefije – në akide, në vepra, në menhexh dhe në etikë – bashkë me aspektet e tjera të larta të Islamit... sikur të kishim vazhduar vetëm në refuzime kundër tyre, do të kishim humbur shumë nga qëllimet tona. Unë dëshiroj që vëllezërit tanë t’u shmangen atyre dhe t’i drejtohen me zell realizimit të da’ues së lartë selefije; megjithëse vëllezërit tanë – lavdi All-llahut – e bëjnë këtë, por angazhimi me ata (të devijuarit) bën që të mos e arrijnë përsosmërinë në thirrjen e tyre. Prandaj, lërini ata dhe rrugën që ata e kanë zgjedhur për vete, kurse ne dhe da’uen tonë nuk mund ta dëmtojë kjo, sidomos pasi selefijtë në secilin vend janë të bindur se ne jemi në hak kurse kundërshtarët tanë janë në batil.” Rrjedhimish: a) Ndalohet rreptësishtë transmetimi nga të panjohurit, ngase prej tyre nuk merret dija. Të panjohur janë ata për të cilit nuk ekziston ta’dil – qoftë ai me emërtim të drejtpërdrejtë nga ndonjë dijetar, ose me përhapje të njohjes së tij – dhe gjendja e tij nuk tregon se është i udhëzuar në Sunnet. b) Kur transmetohet diçka, duhet të shkruhet burimi i plotë, përveç nëse burimi është nga bidatçinjtë, atëherë mjafton vetëm të jepet shenjë se nga është marrë. c) Ndalohet rreptësishtë zhytja në tema që shkaktojnë fitne dhe probleme, e ndër ato tema është të folurit rreth atyre që janë njohur me Sunnet, rrugë të drejtë dhe ndihmë të hakut. Fjalët për njerëzit e këtillë nuk pranohen, përveç nëse janë nga dijetarët kompetentë të thelluar në dije. Kjo – në bazë të Librin të All-llahut dhe Sunnetit të të Dërguarit, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe këshillës së dijetarëve të mëdhenj në këtë temë. d) Ndalohet transmetimi dhe zmadhimi i problemeve që kanë ndodhur mes dijetarëve dhe nxënësve të dijes. Obligimi ynë në situata të këtilla është që këto çështje t’u drejtohen dijetarëve, në mënyrë që të zvogëlohen dhe të shuhen problemet. Përndryshe, ato duhet të fshihen dhe të mbulohen, duke u përpjekur për përmirësim dhe bashkim. e) Ndalohet hapja e temave që janë jashtë fushës së këtij forumi, në mënyrë që të mos çohen mbikëqyrësi dhe pjesëmarrësit e këtij forumi drejt humbjes së kohës. f) ForumiSelefi.Net nuk është për debat dhe polemikë. Domethënë: qëllimi i forumit nuk është parashtrimi i temave dhe problemeve filozofike për t’u diskutuar, por qëllimi është njohja e myslimanëve me Fenë e tyre dhe forcimi i përhapjes së dijes, si dhe rrëzimi i dyshimeve dhe fitneve. Ky drejtim është marrë nga udhëzimet e dijetarëve të mëdhenj dhe të urtë. g) Çdo diskutim ilmij, i bazuar në dije të qartë dhe argumente të besueshme është i pranuar. h) Secili diskutim që bëhet jashtë etikës sheriatike, mbikëqyrësi ka të drejtë ta ndalojë dhe ta mënjanojë, si dhe t’i marrë hapat e duhur në raport me anëtarin që e ka shkaktuar këtë, si dhe anëtarët që e kanë vazhduar rrugën e tij. Hapat që do të ndërmerren varen nga lloji i veprimit dhe sasia e kundërshtimit ndaj rendit të forumit, qofshin pjesëmarrësit përkrahës ose kundërshtarë të tij. 9. Qëllimi kryesor i udhëheqësit të ForumiSelefi.Net është shërbimi i Islamit dhe ofrimi i ndihmës për fitimin e diturisë fetare, kështu vëllezërit duhet të na ndihmojnë duke na ofruar njohuri për botime të reja të librave shkencore, aktivitete të dijetarëve, orare të derseve, për mësime të incizuara, numra të dijetarëve, ueb-faqe të dobishme – për ata që janë afër dijetarëve ose njohin dikë prej tyre. Ata mund të na pasurojnë me thënie të dijetarëve dhe sqarime rreth mënyrës së nxënies së dijes, si dhe rreth temave të tjera të Fesë Islame. 10. Rekomandohet që vëllezërit e tjerë të mos e kufizojnë pjesëmarrjen e tyre vetëm në falënderim dhe lutje për ata që kanë kontribuuar, por të kontribuojnë me materiale shkencore, si dhe me hapje të temave të dobishme. Kjo nuk do të thotë ndalesë për falënderim dhe lutje për ata që kontribuojnë, por kjo është nxitje për të pasur kujdes që t’u bëhet dobi myslimanëve. Vëllezërit mund të na informojnë për përkthime të reja të dobishme, si dhe për çështje të cilat i kanë të paqarta, ose u duken si problematike, dhe të cilat kanë nevojë për sqarim ose refuzim. 11. Ky forum nuk është vend për reklamim dhe publicitet. Anëtarët nuk duhet të përcjellin një pjesë të një artikulli, pastaj të thonë Lexoje artikullin e plotë në ueb-lidhjen në vijim, por duhet ta përcjellin artikullin e plotë duke e përmendur burimin. a) Përjashtim bëjnë postimet ku vëllezërit i këshillojnë lexuesit që të përfitojnë nga një ueb-faqe, ose forum, të cilin e rekomandojnë dijetarët, si dhe ueb-faqet e dijetarëve të gjallë, ose dijetarëve të vdekur, që mbikëqyren nga dijetarë ose shujuhë të besueshëm dhe të njohur. b) Gjithmonë duhet të përmendet burimi origjinal dhe nuk duhet të lihet vetëm burimi ndërmjetës. c) Në fillim ose në fund të temës duhet të tregohet në formë të qartë se ajo është e bartur dhe nuk mjaftohet me përmendjen e saj brenda temës. 12. Ndalohet postimi i temave në të cilat ka video ose fotografi të gjallesave. 13. Tani për tani ndalohet krejtësisht regjistrimi i motrave. Ato mund të lexojnë në këtë forum, por jo edhe të marrin pjesë aktive. Për më vonë do t’i shqyrtojmë mundësitë dhe imtësitë e kësaj. 14. Ndalohet hapja e temës rreth anëtarëve të pushuar, përveç nëse jepet ndonjë transmetim i dobishëm. 15. Të mos komentohen ose kritikohen ueb-faqet e tjera selefije, ose mbikëqyrësit e tyre. 16. Gjuha zyrtare e këtij forumi është Gjuha Shqipe dhe tani ajo është gjuha e vtme në përdorim, përderisa më vonë mund të shtohen edhe gjuhë të tjera. U rekomandojmë të gjithë pjesëmarrësve që të kujdesen të shkruajnë në gjuhë të pastër letrare, sipas mundësisë. 17. Titujt e temave duhet ta tregojnë përmbajtjen e tekstit dhe të jenë të shkurtër. Ndalohet futja e simboleve të shirkut (kryq, yll me gjashtë krahë, hënë dhe yll, etj), ose simbole të tjera me pika të shumta ose teprim me shenjat e pikësimit, në mënyrë që të tërhiqet vëmendja ose të fshihet përmbajtja e temës në veglat e kërkimit në internet. Nëse kjo nuk plotësohet, ajo temë do të mënjanohet, pa marrë parasysh rëndësinë e saj, përveç nëse mbikëqyrësi është i mendimit që të përmirësohet titulli, në situata të veçanta. 18. Ndalohet hapja e temave për bartje dhe zbritje të programeve të palejuara. Nëse dikush dëshiron, mund të përhapë programe të dobishme që jepen falas. 19. Të mos hapen tema vetëm për përshëndetje. Nëse dikush do të përshëndesë, temën e tij le ta pasurojë me dije të dobishme. 20. ForumiSelefi.Net është një forum selefi, i cili i respekton dijetarët dhe nxënësit e dijes selefi. Prandaj, obligohet respektimi dhe nderimi i dijetarëve dhe nxënësve të dijes selefi, duke ia dhënë secilit pozitën e merituar, pa teprim dhe pa cungim. 21. Duhet të mbrohet nderi i myslimanit dhe nuk lejohet të shkelet nderi i askujt, përveç në situatat sheriatike të cilat i kanë përmendur dijetarët, ku lejohet të përmendet dikush me fjalë që i urren; siç janë këshilla dhe xherhi dhe ta’dili, por këto të merren nga dijetarët kompetentë. 22. Obligohet vërtetimi dhe konfirmimi i transmetimit. Ndalohet nxitimi në transmetimin e gjykimeve, duke këshilluar që kjo të bëhet me qëllim të mirë, pastërti të zemrës dhe me vepër të qëlluar. 23. Anëtarët duhet ta respektojnë njëri-tjetrin, ngase në ForumiSelefi.Net marrin pjesë vetëm selefij, madje edhe nëse janë nga populli i thjeshtë. Selefi është myslimani që e ndjek rrugën e të parëve – selefit (sahabeve dhe atyre që i kanë pasuar ata), largohet nga ëndjet dhe bidatet dhe është i kujdesshëm që t’u shmanget dyshimeve dhe fitneve. 24. Kush sheh te vëllai i tij një kundërshtim ose gabim, atë duhet ta kurojë me mënyra sheriatike dhe nuk duhet ta shfrytëzojë gabimin për të abuzuar me të, ose të gëzohet; por duhet ta këshillojë, t’ia kujtojë All-llahun dhe ta udhëzojë, e nëse ai refuzon, atëherë duhet t’ia shfaqë çështjen e tij mbikëqyrësit, që ta shqyrtojë atë dhe t’i ndërmarrë hapat e duhur. 25. Ne jetojmë në vend ku janë shtuar të këqijat dhe kundërshtimi i Fesë. Prandaj temat në këtë forum duhet të bëjnë pjesë në urdhër për të mira dhe ndalim nga e keqja, e jo harxhim i kohës me çështje që s’kanë të bëjnë me situatën tonë. 26. Në secilën rubrikë duhet të vihen tema që kanë të bëjnë me atë rubrikë. 27. Dizajni i temës duhet të jetë i përshtatshëm duke përdorur ngjyra, forcim, nënvizim etj, të shkronjave, për t’i dhënë theks fjalëve që duhet t’u japë theks. Por, ndalohet që me këto vegla të shëmtohet tema, ose të përdoren përmasa tepër të mëdha të shkronjave. Përndryshe postimi do të fshihet.
Rubrika e refuzimeve
28. Në këtë temë transmetimet bëhen vetëm nga dijetarët e thelluar në këtë dije. 29. Nuk transmetohen gjëra që shkaktojnë fitne dhe përçarje mes selefijve. 30. Secila fjalë (gjykim) që nuk është transmetim nga dijetarët do të fshihet, qoftë xherh, qoftë ta’dil. 31. Ndalohen komentimet personale për xherh ose për ta’dil dhe lihet vetëm fjala e dijetarit. 32. Ndalohet transmetimi i pyetjeve personale ose përmes telefonatës për temat e ndjeshme, pa marrë leje të qartë nga dijetari në fjalë për 1. incizimin; 2. përhapjen.
Rubrika e pyetjeve dhe përgjigjeve
33. Titulli i temës duhet ta ketë kuptimin e pyetjes. Nuk vihen tema me tituj Pyetje, Kërkoj përgjigje dhe të ngjashme. 34. Në secilën temë parashtrohet një pyetje. Nëse një temë ka më shumë pyetje, të tjerat do të fshihen dhe do të lihet vetëm pyetja e parë. 35. Të kihet durim dhe të mos përmbytet forumi me pyetje. Domethënë secili anëtar të mos parashtrojë më shumë se një pyetje gjatë javës, kurse kufiri maksimal është dy pyetje. Këtë e themi, ngase për pyetjet duhet të konsultohemi me libra, ose me dijetarë, prandaj duhet të keni mirëkuptim për kohën e duhur për ta arritur këtë. 36. Të mos parashtrohen pyetje për çështje ose njerëz, për të cilët nuk ka folur më parë ndonjë dijetar. 37. Pyetjet që nuk duken të kenë lidhje me jetën e përditshme të pyetësit, do të barten në rubrikat e tjera që kanë lidhje me atë temë, në mënyrë që të mund të kontribuojë secili anëtar duke përcjellë fetua të dijetarëve dhe dije të dobishme. 38. Të mos parashtrohen pyetje që kërkojnë hulumtim më të gjerë dhe më të thellë. Në këtë rubrikë ka pyetje dhe përgjigje të drejtpërdrejta. Pyetjet për hulumtime më të gjera parashtrohen në rubrikat përkatëse. 39. Megjithëse dobia e parashtrimit të pyetjeve – si për pyetësin ashtu edhe për atë që jep përgjigje dhe të tjerët që lexojnë – është e madhe, ne i këshillojmë vëllezërit pjesëmarrës që të mos e bëjnë shumicën e pjesëmarrjes së tyre parashtrim të pyetjeve. Secili duhet ta japë mundin dhe përpjekjen e tij në përhapjen e Sunnetit dhe menhexhit selefij dhe t’i ndihmojë vëllezërit e vet në rubrikat e tjera. 40. Kur të nxirren përgjigje në audio, i lutemi pyetësit në rend të parë, ose kush ka mundësi ta transkriptojë përgjigjen dhe ta përkthejë nëse është në arabisht. Zakonisht përgjigjet janë të shkurtra, prandaj secili duhet të kontribuojë në këtë aspekt. 41. Duhet të përmendet emri i dijetarit që jep përgjigje; dhe duhet të përmendet emri me të cilin njihet më shumë, p.sh.: Gjykimi i lëvizjes së gishtit në teshehhud – Albani. 42. Këshillojmë që të mos parashtrohen pyetje banale, prej të cilave nuk përfitojnë shumica e pjesëmarrësve. 43. Ju lajmërojmë se ne do të mundohemi maksimalisht që për secilën pyetje të gjejmë përgjigje të drejtpërdrejtë nga një dijetar, ose nga nxënësit e dijes të njohur në botën arabe. 44. Stafi i ForumiSelefi.Net mund të shtojë ose të modifikojë ndonjë nga kushtet, sipas rrethanave dhe zhvillimeve në forum, me qëllim të shtimit të dobisë për të gjithë.
Të mos harrohet se ForumiSelefi.Net është forum për t’u bërë dobi njerëzve në çështjet e Fesë, për të thirrur kah All-llahu me urtësi dhe këshilla të mira, si dhe për të diskutuar në mënyrën që është më e mira. Kur ne mënjanojmë një temë nuk do të thotë se ajo temë është e keqe, por e mënjanojmë nëse vlerësojmë se dobia e përgjithshme kërkon që ajo të mënjanohet, ose është më mirë të mos përhapet. All-llahu e di më së miri.
Salavatet dhe selamet qofshin për Profetin tonë Muhamedin, për familjen dhe të gjithë shokët e tij!
Tema u përshtat për ForumiSelefi.Net, Kryesisht e marrë nga forumi Al-Bajdha, Nën mbikëqyrjen e dijetarëve eminentë Dr. Ali Rida ibën Abdil-lah Ali Rida Usame ibën Ataja el-Utejbi All-llahu i ruajttë ata dhe të gjithë dijetarët selefi!
_________________ Ebu Derda, radijAll-llahu anhu, ka thënë: "Kërkoni (nxini) dituri! Nëse nuk mundeni, dojini njerëzit e saj; e nëse nuk i doni, atëherë mos i urreni!"
|